Hyrje

‘’Gjithkush ka të drejtën e një niveli jetese të përshtatshme për shëndetin dhe mirëqënien e vetes dhe të familjes së tij, duke përfshirë ushqimin, veshmbathjen, banesën, kujdesin mjekësor dhe shërbimet sociale të nevojshme, dhe të drejtën për të qënë i siguruar në rast papunësie, sëmundje, paaftësie, vejërie, pleqërie dhe raste të tjera të jetesës në rrethana përtej kontrollit të tij’’.

Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, neni 25

Disponueshmëria e ushqimit është një e drejtë themelore e njeriut dhe është kritike për mirëqënien e të gjithëve. Për fat të keq, në të gjithë Evropën ka njerëz që nuk mund të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për veten e tyre ose familjet e tyre. Ky problem nuk është shkaktuar nga mungesa e ushqimit. Arsyeja më e zakonshme pse njerëzit nuk mund të ushqejnë veten e tyre është varfëria.

Sipas FEBA-s, Federata Europiane e Bankave të Ushqimit, në Europë, 80 milionë njerëz jetojnë nën nivelin e varfërisë dhe në mesin e tyre, 30 milionë vuajnë nga kequshqyerja. Në Shqipëri, shifrat janë po aq shqetësuese. Këta qytetarë, shpesh nuk mund të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për familjet e tyre.

Në anën tjetër, Komisioni Europian vlerëson se gati 50% e ushqimit të prodhuar në Europë hidhet poshtë. Kjo përfshin mbetje në të gjithë zinxhirin ushqimor, nga prodhimi që nuk është korrur apo prishur para se të mbërrijë në një treg shitjeje, e deri te ushqimet që nuk janë shitur dhe duhet të hidhen. Edhe Shqipëria vazhdimisht prodhon teprica ushqimi.

Imagjinoni nëse të gjitha këto ushqime që humbin, të mund të mblidheshin dhe të rishpërndaheshin tek familjet në nevojë. Ky është misioni i Bankës së Ushqimit në Shqipëri, të ndihmojë për të ushqyer nevojtarët duke përdorur tepricat që tashmë shoqëria ka në dispozicion. Ne besojmë se askush nuk duhet të jetë i uritur dhe se ne kemi një detyrim moral për të ndihmuar njerëzit me më shumë nevoja në shoqëri.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.