Çfarë është një Bankë Ushqimi?

Banka e ushqimit është një organizatë jo-fitimprurëse që përdor tepricat e ushqimit që shoqëria prodhon për të ushqyer të varfërit. Banka e ushqimit siguron ushqim falas nga industria ushqimore, dyqanet me pakicë, supermarketet dhe përmes donacioneve nga programet e ndihmave ushqimore dhe individëve. Ky ushqim shpërndahet më pas tek organizatat e bamirësisë dhe shërbimeve sociale që mbështesin njerëzit në nevojë.

Bankat e ushqimit nuk luftojnë vetëm çuarjen dëm të ushqimit, urinë dhe varfërinë. Ato gjithashtu sigurojnë përfitime të vlefshme mjedisore dhe sociale.

Bankat e ushqimit përfaqësojnë dëshirën e shoqërisë për t’u kujdesur për anëtarët e saj që janë në gjëndje të vështirë financiare, dhe veprojnë bazuar në parimet e dhurimit dhe shkëmbimit. Veprimtaria e tyre mbështetet mbi katër shtylla kryesore.

• Sigurimi i Ushqimit – Objektivat e bankave të ushqimit janë reduktimi i hedhjes së ushqimit, ulja e pasojave të dëmshme mjedisore që shkaktohen nga hedhja e ushqimit si dhe sigurimi i ndihmave ushqimore për familjet në nevojë. Bankat e ushqimit luftojnë mbetjet duke mbledhur tepricat ushqimore:

  • Tepricat bujqësore
  • Prodhimi i tepërt në sektorin e prodhimit të ushqimit
  • Ushqim i pranueshëm që nuk mund të shitet në treg, por mund të konsumohet
  • Tepricat e ushqimeve nga restorantet dhe hotelet
  • Kontributet nga publiku, grumbullimet nga shkollat dhe supermarketet

•  Shpërndarja – Bankat e ushqimit janë organizata jo-fitimprurëse që bëhen partnere me organizata të tjera jo-fitimprurëse në luftën kundër urisë. Ata nuk e shpërndajnë vetë ushqimin, por punojnë me organizata që janë të përfshirë ngushtë me njerëzit në nevojë për të siguruar që ushqimi që ata mbledhin të shkojë tek të uriturit.

•  Operacionet – Bankat e ushqimit janë organizata jo-fitimprurëse dhe që operojnë me një buxhet minimal.

Operacionet mbështeten nga:

  • Donacionet e materialeve, pajisjeve dhe ushqimeve
  • Mbështetja e shpenzimeve operative nga palët e treat
  • Pjesëmarrja vullnetare nëpër programe dhe puna vullnetare

• Përfshirja e komunitetit – Bankat e ushqimit ekzistojnë për shkak të dëshirës së njerëzve për të punuar së bashku në shërbim të të tjerëve dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë. Çdokush mund të jape pak kohë, aftësi apo të mira personale.