Uria dhe Mbetjet Ushqimore

Uria

Programi Botëror i Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (UNFAO) llogarit se janë 795 milion njerëz të kequshqyer në botë. Në fakt, globalisht agjencia e klasifikon urinë dhe kequshqyerjen si rrezikun numër një për shëndetin.

Edhe pse ka interes të konsiderueshëm të medias në urinë akute ose urinë ekstreme, shumica e njerëzve të uritur në botë vuajnë nga kequshqyerja e përditshme. Kequshqyerja e përditshme ndodh kur njeriu  konsumon më pak se kaloritë e rekomanduara ditore për një jetë të shëndetshme. Trupi e kompenson kequshqyerjen ditore duke ngadalësuar aktivitetet fizike dhe mendore dhe kjo ndikon aftësinë e personit për të punuar dhe studiuar. Fëmijët e kequshqyer shpesh nuk janë në gjëndje të mbajnë hapin me moshatarët e tyre në shkollë. Uria kronike ndikon edhe sistemin imunitar duke i bërë njerëzit më të prekshëm ndaj sëmundjeve.

Në të gjithë botën, shumica e njerëzve të uritur jetojnë në Afrikë dhe Azi dhe jetojnë në zonat rurale, por ky problem prek njerëzit në të gjithë kontinentet dhe njerëz që jetojnë në të gjitha mjediset.

Janë shumë faktorë që shkaktojnë urinë, si psh –  varfëria, ndryshimi i klimës, luftërat dhe praktikat e dobëta bujqësore. Në fakt, mungesa globale e ushqimit nuk është shkaku i epidemisë së urisë. Ҫdo vit prodhohet mjaftueshëm ushqim për t’u siguruar të gjithë banorëve të planetit një dietë të shëndetshme. Por ushqimi shtesë i prodhuar nuk u shpërndahet në mënyrën më të mirë njerëzve në nevojë.


Mbetjet e Ushqimit

Mbetjet e ushqimit ndodh kur ushqimi që është rritur apo prodhuar nuk konsumohet. Ky mund të jetë ushqim që kurrë nuk është korrur nga fusha, ushqim që është prishur ose që shkatërrohet gjatë transportit për në treg, ushqim që është çuar dëm gjatë përpunimit, ushqim që nuk është shitur dhe është hedhur, apo ushqim që është blerë dhe nuk është konsumuar. Në çdo fazë të procesit të prodhimit të ushqimit ka ushqim që shkon dëm. Llogaritet se 30% e ushqimit të prodhuar në mbarë botën nuk konsumohet.

Mbetja e ushqimit është një faktor i madh që ndikon në urinë në mbarë botën dhe ajo ka pasoja të rëndësishme mjedisore. Ushqimi i dekompozuar kontribuon në prodhimin e gazit metan, i cili është një gaz i fuqishëm sere. Përveç kësaj, kur ushqimi shkon dëm, të gjitha burimet që u përdorën për të prodhuar atë ushqim humbasin. Uji, energjia dhe burimet e mjedisit humbasin të gjitha pa asnjë arsye, kur ushqimi ndërkohë është hedhur poshtë.

Gjithkush mund të luajë një rol në parandalimin e mbetjeve të ushqimit. Këto janë disa gjëra të thjeshta që ju mund të bëni për reduktimin e mbetjeve të ushqimit:

  • Planifikoni pazarin tuaj: Bëni një listë të gjërave që ju duhen para se të shkoni për të bërë pazarin. Kini kujdes kur blini diçka, ndëkohë që jeni të uritur, sepse ju mund të blini më shumë se sa ju nevojitet.
  • Kontrolloni datat e skadimit të ushqimeve, veçanërisht frutat, perimet dhe produktet e qumështit. Sigurohuni që t’i përdorni ushqimet para se të skadojnë.
  • Mbajeni temperaturën e frigoriferit midis 1 dhe 5 gradë për jetëgjatësinë dhe freskinë e ushqimeve. Kontrolloni frigoriferin dhe vende të tjera në shtëpi ku ju mbani ushqimet çdo ditë, për t’u siguruar që të hani më parë ushqimet që kanë qenë atje për një periudhë më të gjatë kohore.
  • Vendosni më shumë ushqime në ngrirje. Ushqimet e ngrira do të zgjasin më shumë. Edhe produktet si buka mund të ngrihen në mënyrë që ato të zgjasin më shumë (Për të përdorur përsëri bukën e thatë ose të ngrirë, derdhni disa pika uji mbi fetat e bukës dhe vërini ato në furrë për pesë minuta. Buka do të dalë e freskët dhe me avull).
  • Mësoni se si thahen ushqime të ndryshme në mënyrë që mund t’i hani ato jashtë sezonit.
  • Planifikoi vaktet me familjen tuaj. Përcaktoni se për sa njerëz ju duhet të gatuani përpara se të filloni gatimin.